“Arritje e jona”, s’kemi kontakt me ta”, qysh ndërroi rrëfimi i Qeverisë Kurti për raportet me Spanjën

Krahas shteteve të Bashkimit Evropian, edhe Spanja kishte vendosur që ta njohë pasaportën e Kosovës, duke lejuar kështu qytetarët e saj që të udhëtojnë brenda zonës Schengen pa viza që nga janari i vitit 2024. Para një viti, Qeveria e Kosovës e kishte renditur këtë si arritje të tyre. Sot, pas një viti, pikërisht Albin Kurti ka deklaruar se nuk kanë pasur asnjë kontakt me Qeverinë spanjolle.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve në fundvitin e kaluar, Kurti e kishte paraqitur njohjen e pasaportave nga Spanja si “arritje të mëdha”.

“Distanca jonë nuk është shkurtuar vetëm me Evropën, por edhe me botën. Pasaporta jonë është më e fuqishme se kurrë më parë. Heqja e vizave nga Tajlanda, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Tajvani, si dhe njohja e pasaportës së Republikës së Kosovës nga dy shtete mosnjohëse – Spanja dhe Armenia – janë arritje të mëdha” – deklaronte ai mes tjerash.

Dy zëvendësit e tij, Besnik Bislimi e Donika Gërvalla, e kishin vazhduar më tej marrjen e meritave. Ky i pari, deklaronte se po sillnin “lajme të mira” për “qytetarët tanë”.

“Lajmet e mira vazhdojnë. Për qytetarët tanë dhe shtetin. DG Home ka njoftuar se tashmë edhe Spanja i njeh pasaportat e Republikës së Kosovës. Pra mund të udhëtojmë pa viza dhe drejt këtij shteti”.

Njohjen e pasaportave nga Spanja, si sukses të Qeverisë e kishte paraqitur edhe kryediplomatja, e cila paralajmëronte edhe “lajme të tjera të mira”.

“Do të kemi edhe më shumë lajmë të mira para se të festojmë 3-vjetorin e fitores së madhe të 14 shkurtit dhe 16-vjetorin e pavarësisë së Kosovës. Vetëm me vendosmëri dhe punë të ndershme dhe të palodhshme mund t’ia kthejmë Kosovës dinjitetin dhe t’ia sigurojmë vendin e merituar në familjen e kombeve” – shkruante ajo.

Qeveria Kurti s’pati komunikim me Qeverinë e Spanjës

Më 28 janar 2025, Kurti ka dhënë një intervistë për gazetën spanjolle “El Mundo”, ku mes tjerash ka kërkuar njohjen nga Spanja, ani se konfirmoi që nuk e kanë pasur as edhe një kontakt me Qeverinë atje.

Qysh në fillim të kësaj interviste, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje thotë:

“Mendoj se ka ardhur koha që Spanja ta njohë pavarësinë e Kosovës”.

Më pas, nga gazetari që e ka intervistuar, ai është pyetur “a keni pasur ndonjë kontakt me Qeverinë Spanjolle?”.

Kurti ka konfirmuar se nuk kanë pasur kontakte, ani se patën disa “shkëmbime” nëpër disa konferenca ndërkombëtare.

“Jo. Edhe pse kemi pasur shkëmbime në disa konferenca ndërkombëtare, këto takime kanë qenë më shumë në një nivel personal, kryesisht mes deputetëve, por jo mes përfaqësuesve të Qeverisë. Pavarësisht këtyre takimeve nëpër forume ndërkombëtare, nuk ka pasur dialog direkt apo zyrtar mes qeverive të dy vendeve. Nuk ka paur mënyrë formale që ta adresojmë çështjen dhe të ecim përpara në një marrëdhënie të mundshme diplomatike” – ka thënë ai, transmeton Nacionale.