Arrijnë në Kosovë 4 mijë e 680 vaksina Pfizer

Ambasada e Austrisë në Prishtinë ka bërë të ditur se sot ka arritur në Kosovë sasia e parë prej 4.680 dozave të vaksinave BionTech/Pfizer nga gjithsej 95.000 sa janë parashikuar.

Vaksinat janë financuar nga Bashkimi Evropian, dhe janë siguruar nga Austria. Me 4.680 dozat që kanë arritur sot ka filluar furnizimi i Kosovës me vaksinat, të cilat do shpërndahen deri në fund të gushtit. Kjo do të kontribuojë në përgatitjen e planit të vaksinimit, duke vaksinuar fillimisht personelin shëndetësor në front të parë si dhe grupet e rrezikuara, thuhet në njoftim për media.

Duke qenë dëshmitarë i arritjes së këtij furnizimi bashkë me ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia, ambasadori austriak Christoph Weidinger tha se Austria do të vazhdojë të qëndrojë përkrah popullit të Kosovës edhe në ardhmen.

“Për Austrinë është nder i veçantë dhe vepër solidarizimi me qytetarët e Kosovës, ta mundësojë transferimin e këtyre dozave, sepse, hapësirat e pa mbuluara në hartën e vaksinimit, pavarësisht ku janë ato, paraqesin rrezik për të gjithë ne. Nuk duhet të harrojmë se askush nuk është i sigurt, përderisa nuk janë të gjithë të sigurt! Të jeni të sigurt, se Austria ka qëndruar dhe do të qëndrojë përkrah popullit të Kosovës”, ka thënë diplomati austriak.

Furnizimi i Kosovës me 95.000 vaksina BioNTech/Pfizer është pjesë e një përpjekjeje të përbashkët të BE dhe Austrisë për të siguruar 651.000 doza BioNTech/Pfizer për Ballkanin Perëndimor, për të mbështetur rajonin në vaksinimin e personelit shëndetësor në front të parë si dhe persona nga grupe më të rrezikuara.

Austria ka lehtësuar dhe para-financuar transferimin e këtyre vaksinave, të cilat financohen nga paketa prej 70 milionë euro, e miratuar nga KE për të financuar vaksinat në fjalë. Këto vaksina u siguruan për partnerët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të negociatave paraprake të BE-së për furnizim me vaksina.

Ndryshe, në fund të muajit mars Kosova ka siguruar 24 mijë dozat e para të vaksinave AstraZeneca, të cilat janë shpenzuar tashmë.