Arrihet marrëveshja për tarifat prej 15% mes SHBA dhe BE

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe presidenti amerikan, Donald Trump, kanë arritur sot një marrëveshje historike tregtare mes Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara. Lajmi u konfirmua nga burime të BE-së pas takimit të zhvilluar në Skoci.

Sipas Trump, marrëveshja e re parashikon një tarifë fikse prej 15% për produktet evropiane që hyjnë në tregun amerikan, si dhe blerje armësh amerikane nga vendet e BE-së. “Kjo është marrëveshja më e madhe tregtare e arritur ndonjëherë mes dy palëve”, tha ai, duke e cilësuar një hap të rëndësishëm drejt balancimit të shkëmbimeve tregtare, raporton “Corriere Della Sera”.

Presidenti amerikan theksoi se pika më e debatueshme gjatë negociatave ishte “drejtësia”, duke përmendur pengesat që hasin eksportet amerikane të automjeteve dhe produkteve bujqësore në tregun evropian. “Ne kërkuam një tregti të drejtë dhe e arritëm atë”, tha Trump.

“Bashkimi Evropian do të bjerë dakord të blejë nga Shtetet e Bashkuara energji me vlerë 750 miliardë dollarë. Ata do të bien dakord të investojnë në Shtetet e Bashkuara 600 miliardë dollarë më shumë sesa po investojnë tashmë”, tha ai.

Kërcënimi për vendosjen e tarifave 30% nga 1 gushti kishte tensionuar muajt e fundit marrëdhëniet SHBA–BE, me Brukselin që kishte përgatitur kundërmasa mbi 93 miliardë euro mallra amerikane.

Von der Leyen, e cila para takimit e kishte përshkruar Trump-in si “negociator të ashpër dhe marrëveshje-bërës”, e cilësoi marrëveshjen si një hap përpara që “rikthen ekuilibrin dhe siguron stabilitet të ri në marrëdhëniet tregtare transatlantike”.

The post Arrihet marrëveshja për tarifat prej 15% mes SHBA dhe BE appeared first on Kosovapost.net.