Reperi Betim Januzi i njohur me nofkën Buta është arrestuar nga policia e Kosovës në Ferizaj.
Ai dyshohet se e ka sulmuar një person me armë, raporton Paparaci.
Rasti ka ndodhur në rrugën “Vëllezërit Gërvalla”.
“Ju njoftojmë se më datë 11.04.2026, rreth orës 20:25, kemi pranuar informacion për një rrahje në progres në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Ferizaj, afër “Eurogjigant”. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë dhe në vendin e ngjarjes është konstatuar se, përveç përleshjes fizike ndërmjet dy personave, ka pasur edhe të shtëna me armë zjarri”, thuhet në njoftimin e Policisë.
“Një person ka pësuar lëndime trupore si pasojë e përleshjes, jo nga arma e zjarrit. Në vendin e ngjarjes është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri si dhe tri gëzhoja. Një person është shoqëruar në stacion policor, ndërsa i dyshuari tjetër është identifikuar dhe ndodhet në kërkim policor. Lidhur me rastin, njësitë relevante policore, përfshirë Hetimet dhe Forenzikën të stacionit, kanë dalë në vendin e ngjarjes, ndërsa disa njësi janë vënë në kërkim të dyshuarit. Për informata shtesë, do të njoftoheni me raport vijues”, ka bërë të ditur Policia.
“Buta” në shtatorin e vitit të kaluar ishte arrestuar pas një kontrolli të policisë.
Ai ishte akuzuar nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për shitblerje të narkotikëve dhe armëmbajtje pa leje.
Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se me datën 11 shtator 2025 rreth orës 21:00, në rrugën “Zenel Hajdini” në Ferizaj, Betim Januzi “Buta” ka mbajtur në posedim pa autorizim substancë narkotike të dyshuar si kokainë dhe marihuanë, me qëllim shitjeje apo shpërndarje.









