Arrestohet personi në kërkim për vjedhje të automjeteve

Policia e Kosovës ka arrestuar një person të dyshuar për përfshirje në dy raste të veprave penale “Vjedhje” dhe “Marrja në posedim të sendeve të luajtshme”.

I dyshuari, Xh. N., ishte në kërkim policor dhe u arrestua nga njësitë policore të Stacionit Policor Mitrovicë Veri, pas një pune intensive hetimore. Sipas raportit të policisë, ai dyshohet për vjedhjen e dy automjeteve si dhe për marrjen në posedim të sendeve si telefon, pasaportë dhe letërnjoftim.

Pas arrestimit, i dyshuari u dërgua në stacion policor, ku iu bë matja me alkool-test dhe rezultoi se ishte nën ndikimin e alkoolit. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, ai u ndalua për 48 orë, gjatë të cilave pranoi kryerjen e veprave që i atribuohen. Pas përfundimit të intervistimit, prokurori urdhëroi lirimin e tij, ndërsa për rastet në Mitrovicën e Jugut ai iu dorëzua zyrtarëve hetues kompetentë.

Policia e Kosovës vazhdon të mbetet e përkushtuar në zbatimin e ligjit dhe luftimin e kriminalitetit në të gjitha rajonet e vendit.