Arrestohet personi i cili dyshohet se e ngacmoi Fitoren Pacollin , e quajti “hajdute me dokumente”

Një person është arrestuar të martën nën dyshimin se e ka ngacmuar dhe shqetësuar përmes telefonit deputeten Fitore Pacollin.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Enis Pllana.

Sipas tij, ankuesja ka denoncuar në polici se është ngacmuar dhe shqetësuar përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve telefonike nga i dyshuari.

Pllana theksoi se ndaj të dyshuarit është iniciuar një hetim në drejtim të veprës penale “Ngacmim”.

Tutje ai tha se i dyshuari është dërguar në mbajtje prej 48 orësh.

“Me datë 29.07.2025, ankuesja ka denoncuar në polici se është ngacmuar dhe shqetësuar përmes rrjeteve sociale dhe thirrjeve telefonike nga një i dyshuar. Hetimet e përgjithshme të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës, menjëherë kanë trajtuar rrethanat e denoncuara, me ç’rast pas identifikimit dhe intervistimit kanë arrestuar të dyshuarin. Ndaj të njëjtit me rekomandimin e prokurorit të shtetit  është inicuar një hetim në drejtim të veprës penale “Ngacmim” dhe i njëjti është dërguar në mbajtje prej 48 orësh”, ka thënë Pllana.

Siç merr vesh Telegrafi i dyshuari i arrestuar është kryetari i këshillit të fshatit Bellanicë të Malishevës, Hazir Hoxha, i cili ditë më parë e kishte quajtur deputetën e VV-së, Pacollin “hajdute”, dhe kishte thënë se Pacolli e ka hajninë me dokumente.

The post Arrestohet personi i cili dyshohet se e ngacmoi Fitoren Pacollin , e quajti “hajdute me dokumente” appeared first on Kosovapost.net.