IPK ka njoftuar se kanë arrestuar një zyrtar policor që ishte i angazhuar në Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë.
Ai dyshohet se jashtë detyrës zyrtare ka ushtruar dhunë fizike ndaj një të mituri duke i shkaktuar lëndime të lehta trupore.
I dyshuari është arrestuar dhe është dërguar në mbajtje, ndërsa IPK i ka rekomanduar policisë suspendimin e tij.
Komunikata e plotë:
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor cili ishte i angazhuar në policinë kufitare – Stacionin e Policisë Kufitare në Glloboçicë.
Hetuesit e IPK-së kishin pranuar informacione dje ku dyshohej se ky zyrtar policor jashtë detyrës zyrtare ka ushtruar dhunë fizike ndaj një qytetari të moshës së mitur me ç’ rast të njëjtit i janë shkaktuar lëndime të lehta trupore.
IPK-ja ka ndërmarrë veprime paraprake hetimore në konsultim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj pas të cilave ka dyshim të arsyeshëm që zyrtari policor ka kryer veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.
Zyrtari i dyshuar është arrestuar dhe me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Në përputhje me kompetencat ligjore dhe në interes të hetimit penal, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës suspendimin për këtë zyrtar policor përderisa veprimet tjera hetimore do të ndërmerren në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj.