Arrestohet një person për vjedhje në Mitrovicë të Veriut

Policia e Kosovës ka njoftuar për arrestimin e një personi të dyshuar për veprën penale “vjedhje” në Mitrovicë e Veriut.

Sipas njoftimit, rasti është raportuar më 24 mars 2026 në stacionin policor në Mitrovicë të Veriut, nga një qytetar që kishte deklaruar se, derisa ndodhej në stacionin e autobusëve, një person i panjohur nën presion i kishte marrë 400 euro dhe 800 dinarë serbë, për t’u larguar më pas në drejtim të panjohur.

“Pas një pune intensive-hetimore nga zyrtarët policorë të stacionit policor në Mitrovicë të Veriut, është arritur të bëhet identifikimi dhe sot është bërë arrestimi i të dyshuarit me inicialet I.R. (1974)”, thuhet në njoftim.

I dyshuari është arrestuar në sheshin “Car Lazar” në Mitrovicë të Veriut dhe është shoqëruar në stacion policor.

“ I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku në lidhje me rastin ka shfrytëzuar të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje”, bën të ditur policia.

Lidhur me rastin është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili ka urdhëruar lirimin e të dyshuarit në procedurë të rregullt.

“Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që personi të lirohet në procedurë të rregullt, ndërsa i njëjti do të hetohet për veprën penale ‘vjedhje’”, thuhet më tej.