Arr*estohet një person në veri për falsifikim dokumentesh dhe prezantim me identitet të rremë

Një person është ndaluar nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut nën dyshimin për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “prezantim me identitet të rremë”.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, rasti ka ndodhur gjatë një kontrolli rutinë të realizuar nga Njësia policore, ku është zbuluar se i dyshuari, shtetas i Kosovës, kishte një urdhërarrest aktiv për veprën penale “falsifikim i dokumenteve”.

Gjatë ndalimit, i dyshuari është përpjekur të mashtrojë zyrtarët policorë duke u prezantuar me një identitet tjetër. Megjithatë, falë vigjilencës së zyrtarëve policorë, është konstatuar se letërnjoftimi me të cilin ishte prezantuar dyshohej të ishte i falsifikuar.

Përveç letërnjoftimit, gjatë kontrollit, Policia ka gjetur dhe konfiskuar edhe një patentë-shofer, e cila gjithashtu dyshohet të jetë e falsifikuar. Të gjitha dokumentet e dyshimta janë sekuestruar si prova materiale.

Lidhur me rastin, Policia e Kosovës ka njoftuar Prokurorinë kompetente, e cila ka udhëzuar që ndaj të dyshuarit të iniciohet procedurë penale për “falsifikim të dokumenteve”, sipas nenit 390 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Hetimet në këtë rast po vazhdojnë edhe për një vepër tjetër penale. Sipas Policisë, janë duke u grumbulluar prova edhe për dyshimet mbi kryerjen e veprës penale “vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”, në bazë të nenit 277H të Ligjit 08/L-188.

Pas intervistimit nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Mitrovicën e Veriut, me vendim të Prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë.

The post Arr*estohet një person në veri për falsifikim dokumentesh dhe prezantim me identitet të rremë appeared first on Kosovapost.net.