Arrestohet një person në Istog, sekuestrohen kokainë, para e veturë

Një person është arrestuar në Istog, pasi gjatë kontrollit nga policia iu gjetën dhe konfiskuan 17.4 gram substancë e dyshuar narkotike e llojit kokainë.

Sipas raportit 24-orësh të Policisë, i dyshuari ishte ndaluar teksa po drejtonte një veturë me targa vendore, ku gjatë kontrollit janë zbuluar 31 doza të kokainës të ndara në qese të vogla.

Njësiti i antidrogës (DHTN) ka kryer më pas bastisje në banesën dhe një dyqan të të dyshuarit, ku në banesë është gjetur edhe një sasi tjetër e substancës së njëjtë narkotike.

Po ashtu, policia ka kontrolluar edhe dollapët e tij në vendin e punës, por aty nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

Në kuadër të rastit janë sekuestruar edhe një veturë, një telefon i tipit iPhone 17 Pro, 3 mijë e 475 euro para të gatshme dhe një peshore elektronike.

“Me vendim të prokurorit i dyshuari dërgohet në mbajtje për proceduar të mëtejme ligjore”, thotë PK.