Një person është arrestuar në Prizren nën dyshimin për disa raste të vjedhjeve. Ai gjatë intervistimit ka pranuar kryerjen e disa vjedhjeve.
Sipas Policisë, i dyshuari u arrestua të mërkurën dhe se gjatë ndalimit tëv tij, në trup iu gjet kokainë.
“Ju njoftojmë se pas një pune operative-hetimore në terren dhe grumbullimit të dëshmive, sot më datë 08.04.2026, hetuesit policorë nga Sektori i Hetimeve të Stacionit Policor në Prizren kanë arritur të identifikojnë të dyshuarin M.G., i cili dyshohet se është i përfshirë në disa vepra penale, si: “Vjedhja” dhe “Vjedhja e rëndë”. Gjatë ndalimit të tij nga hetuesit policorë, në trupin e të dyshuarit, është gjetur një substancë e dyshuar narkotike e llojit “Kokainë”, thuhet në njoftim.
Lidhur me rastin, Policia bën të ditur se në koordinim me prokurorin kujdestar, është kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku janë gjetur dhe sekuestruar dëshmi materiale që ndërlidhen me rastet në fjalë.
“I dyshuari, gjatë intervistimit në prezencë të avokatit mbrojtës, ka pranuar se ka kryer disa vjedhje në markete dhe vetura. Ndaj tij, me vendim të prokurorit kujdestar, është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Policia po punon me përkushtim në identifikimin dhe arrestimin e personave të tjerë të përfshirë në veprat penale të vjedhjes”, thuhet në njoftim.
Sipas Policisë, në të njëjtën ditë u arrestuan në flagrancë tre të dyshuar për vjedhje të rëndë.
“Gjithashtu, ju rikujtojmë se po sot, në orët e hershme të mëngjesit, policia ka arritur të arrestojë në flagrancë tre të dyshuar në një rast të vjedhjes së rëndë. Të dyshuarve u është sekuestruar një sasi e bizhuterive të arit të vjedhura, si dhe një automjet i përdorur në kryerjen e veprës. Pas përfundimit të procedurave, stolitë e arit i janë kthyer pronarit të ligjshëm, ndërsa tre të dyshuarit, me aktvendim të prokurorit, janë ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.









