Arrestohet në Morinë kosovari i kërkuar ndërkombëtarisht nga Lituania

Një shtetas kosovar, i dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim nga autoritetet lituaneze, është arrestuar nga Policia Kufitare në Morinë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë.

Sipas njoftimit zyrtar të Policisë së Shqipërisë, arrestimi u bë në kuadër të kontrolleve të shtuara në hyrje/dalje të vendit, me qëllim parandalimin e paligjshmërive dhe kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

“Shërbimet e Policisë Kufitare Morinë, në bashkëpunim me DVP Kukës, ndaluan dhe arrestuan me qëllim ekstradimin shtetasin B. K., 39 vjeç, banues në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Nga verifikimet e kryera dhe informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se 39-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Vilnius, pasi Gjykata e Vilniusit e ka dënuar me 2 vjet e 3 muaj burgim për veprën penale “Dëmtimi i papërfillshëm i shëndetit, kërcënimi për vrasje ose për shkaktim të dëmtimit të rëndë shëndetësor, si dhe terrorizimi i një personi”.

“Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët në Lituani, vijon procedurat për ekstradimin e 39-vjeçarit”, theksohet në njoftim.