Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se sot është arrestuar në Leshak një ish-pjesëtar i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë (MUP), i dyshuar për përfshirje në kidnapimin e shtetasit të Kosovës, Milan Vukashinoviq.
Sipas njoftimit, arrestimi është kryer në kuadër të një operacioni të përbashkët ndërmjet Policia e Kosovës dhe Agjencia e Kosovës për Inteligjencë, në kuadër të hetimeve intensive që po zhvillohen lidhur me rrëmbimin e Vukashinoviqit më 1 nëntor 2025, brenda territorit të Kosovës, nga struktura të sigurisë së Serbisë.
Personi i arrestuar, i identifikuar me inicialet V.M., ishte integruar në Policinë e Kosovës në bazë të marrëveshjes së vitit 2013, nga e cila më pas kishte dhënë dorëheqje.
Sipas të njëjtit njoftim, V.M. dyshohet se ka qenë në kontakt të drejtpërdrejtë me struktura të inteligjencës dhe ushtrisë së Serbisë, se ka përgatitur të rinj serbë për trajnime në bashkëpunim me pjesëtarë të ushtrisë serbe, si dhe se ka qenë së paku në dijeni për përgatitjet e sulmit terrorist në Banjskë.













