Policia e Kosovës, përkatësisht Njësia Rajonale për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë në Prizren, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, ka realizuar një operacion të suksesshëm antidrogë që ka rezultuar me arrestimin e një personi të dyshuar për posedim të substancave narkotike.
Policia ka njoftuar se i dyshuari H.K. (1994), shtetas i Republikës së Kosovës, është arrestuar më 11 gusht 2025 në rrugën “Viljam Voker” në Prizren.
Gjatë bastisjeve në dy lokacione, me urdhër të prokurorit kompetent, janë sekuestruar si prova materiale, 4 kg e 440 gr substancë e dyshuar si kokainë, 2 peshore elektronike, 260 euro para të gatshme, pajisje për vakumim qese plastike, një motoçikletë PIAGGIO VESPA, një telefon mobil iPhone 15 Pro Max, një skalper si dhe sasi e konsiderueshme e qeseve plastike për paketim.
Sipas vlerësimeve, vlera e drogës në tregun ilegal mund të arrijë deri në 300,000 euro.
“I dyshuari është shoqëruar në Polici dhe intervistuar në prani të avokatit. Me vendim të prokurorit të shtetit, ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet janë në vazhdim nga Njësia e antidrogës në koordinim me Prokurorinë Themelore”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës rithekson përkushtimin e saj në luftën kundër narkotikëve dhe fton qytetarët të raportojnë çdo aktivitet të dyshimtë tek organet e rendit.
The post Arrestohet me mbi 4 kg kokainë, droga kap vlerën 300 mijë euro appeared first on Kosovapost.net.