Policia e Kosovës ka ndaluar një person të dyshuar për korrupsion dhe mashtrim në procedurat e prokurimit publik, pas një aksioni të zhvilluar nga Sektori për Hetime Financiare në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren.
Hetimet e deritanishme çuan në kontrollin e disa lokacioneve, me urdhër të Gjykatës Themelore në Prizren, ku u sekuestruan pajisje elektronike dhe dëshmi të tjera materiale që do të përdoren në procesin hetimor.
Gjatë kontrollit, në njërin prej lokacioneve u gjet edhe një armë zjarri me municion, për të cilën është hapur një rast i veçantë.
I dyshuari është marrë në pyetje në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë.
Policia ka theksuar se, në koordinim të plotë me organet e drejtësisë, do të vazhdojë ndërmarrjen e të gjitha veprimeve ligjore deri në sqarimin e plotë të rastit.
“Gjatë kontrollit janë sekuestruar pajisje të ndryshme elektronike dhe dëshmi tjera materiale që mund të shërbejnë në procedurën hetimore. Po ashtu, në njërin nga lokacionet është gjetur edhe një armë zjarri me municion, për të cilën është iniciuar rast i veçantë në njësinë policore përkatëse. Personi i dyshuar është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të prokurorit kompetent është ndaluar për 48 orë. Policia e Kosovës, në koordinim të plotë me organet e drejtësisë, do të vazhdojë me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme ligjore deri në sqarimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftim.