Sot është arrestuar një person i dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë” në komunën e Deçanit. I dyshuari dyshohet se një ditë më parë ka sulmuar me sëpatë babanë e tij, duke i shkaktuar lëndime trupore.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi, i cili ka bërë të ditur se viktima ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
“Rasti është cilësuar si ‘vrasje në tentativë’. Prokurorja e Krimeve të Rënda ka autorizuar Policinë për lokalizimin dhe arrestimin e personit të dyshuar”, ka deklaruar Nikçi.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i dyshuari është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afatit ligjor pritet që prokurori të paraqesë kërkesë për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale.










