Arrestohet avokati, dyshohet për mashtrim e keqpërdorim të besimit

Policia e Kosovës, konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prishtinë, pas raportimit të një rasti në Polici me datë 28.01.2019 dhe marrjes së informacioneve relevante, ku dyshohej për kryerje të disa veprave penale: Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar; mashtrim; keqpërdorim i besimit dhe fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara nga një person i dyshuar, ka ndërmarrë disa veprime të nevojshme hetimore dhe operacionale për trajtimin e këtij rasti.
Pas zhvillimit intenziv të hetimeve policore përmes metodave më të avancuara dhe bastisjes në zyrën e të dyshuarit, Policia e Kosovës ka mbledhur informacione dhe dëshmi relevante që ndërlidhen me rastin dhe me datë 04.02.2019, me autorizim të prokurorit kompetent ka ftuar personin (I.R.) për intervistim në cilësinë e të dyshuarit.
Personi i dyshuar, në cilësinë e avokatit mbrojtës, dyshohet se i ka marrë viktimës së gjinisë femërore para në vlerë rreth 10,000.00 euro, kinse për ta mbrojtur për disa vepra penale për të cilat paraprakisht viktima e këtij rasti ka qenë e dyshuar.
Pas realizimit të proceduarve të intervistimit nga Policia, të dyshuarit të lartpermendur me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh për procedura të mëtejme ligjore.