Arrestohet Arianit Sllamniku

Arianit Sllamniku është arrestuar pasditen e së martës.

Ai pretendon se mund të shërojë autizmin duke larguar parazitët nga trupi i njeriut, me medikamente që zakonisht janë të destinuara për kafshë, e jo për njerëz.

Sllamniku është ndaluar për 48 orë.

Policia në Gjilan iu bën thirrje qytetarëve që mund të kenë marrë ‘shërbime e konsulta’ te ai që të shkojnë në stacion për intervistim me qëllim zbardhjen e rrethanave të rastit.

Lidhur me veprimtarinë e tij ka reaguar edhe Ministria e Shëndetësisë.

Në reagimin e saj, Ministria ka shprehur shqetësim për këto raportime dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që t’u besojnë vetëm metodave të verifikuara shkencërisht, të cilat ofrohen nga institucione dhe profesionistë shëndetësorë të licencuar.

MSH ka bërë të ditur se për këtë rast ka njoftuar institucionet kompetente dhe se është në koordinim të vazhdueshëm me Policinë e Kosovës për trajtimin e mëtejmë të çështjes, në përputhje me kompetencat ligjore.

“Shëndeti i fëmijëve mbetet prioritet absolut dhe çdo keqpërdorim që e rrezikon atë do të trajtohet me seriozitet të lartë institucional”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Shëndetësisë.