Arrestohet 20 vjeçari, tentoi t’i vriste katër persona më 2022 në Viti

Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person të dyshuar për veprën penale “vrasje në tentativë”, e cila dyshohet se ka ndodhur më 25 nëntor të vitit 2022 në komunën e Vitisë.

Sipas komunikatës zyrtare, njësitet e Stacionit Policor në Viti, rreth orës 15:00, kanë ekzekutuar urdhër-arrestin e lëshuar nga Gjykata Themelore dhe kanë vënë në pranga të dyshuarin M. A. (lindur në vitin 2005), shtetas i Kosovës. Ai dyshohet se më 25.11.2022 ka tentuar të kryejë vrasje ndaj katër viktimave meshkuj, po ashtu kosovarë.

Pas arrestimit, i dyshuari është intervistuar në përputhje me procedurat ligjore, ndërsa me vendim të prokurorit të shtetit, i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Rasti, së bashku me të gjitha shkresat përkatëse, do t’i procedohet Prokurorisë Themelore në Gjilan për hapat e mëtejmë ligjorë.