Arrestohen tre kosovarë në Morinë, ishin në kërkim ndërkombëtar

Tre shtetas të Kosovës janë arrestuar nga Policia e Shqipërisë në pikën kufitare Morinë, të cilët ishin shpallur në kërkim.

Ata tentuan të lëviznin ilegalisht për t’iu shmangur përgjegjësisë penale, njofton Policia e Shtetit.

“U kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Gjermani, shtetasi M. G., 65 vjeç, banues në Kosovë Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Wiesbaden, Gjermani, pasi Gjykata e Frankfurtit e ka dënuar me 4 vjet e 1 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja” , “Grupi kriminal” dhe “Organizata kriminale”. Nga dënim i i kanë mbetur për të kryer 18 muaj”.

Po ashtu, u kap dhe u arrestua me qëllim ekstradimin në Kuvajt, shtetasi Xh. S., 47 vjeç, banues në Prishtinë. ⁠

“Nga verifikimet e kryera dhe nga informacioni i shkëmbyer me Interpol Tiranën, rezultoi se ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet në Kuvajt, për veprën penale “Vjedhja e rëndë”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me homologët, vijonë procedurat për ekstradimin e këtyre 2 shtetasve”.

Policia njofton se u arrestua edhe shtetasi R. P., 36 vjeç, banues në Kosovë, pasi nga verifikimet rezultoi se ishte shpallur në kërkim kombëtar, pasi Gjykata e Tiranës e ka dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

“Veprimet e tjera procedurale me këtë shtetas do të kryhen nga DVP Tiranë”, bëhet e ditur më tej.