Arrestohen pronarët e dy loberatorëve në Fushë Kosovë, zhvillonin veprimtari të paligjshme

Policia e Kosovës ka ndaluar funksionimin e aktiviteteve në dy loberatorë në Fushë Kosovë, me ç’rast ka arrestuar edhe dy pronarët e këtyre loberatorëve.

Përmes një aksioni hetimor, Policia ka kontrolluar dy loberatorë të analizave biokimike që dyshohet se operonin në kundërshtim me legjislacionin në fuqi.

Ndërkaq, në vendngjarje janë sekuestruar pajisje elektronike, dokumentacion i ndryshëm, një vulë dhe materiale të tjera relevante për hetim.

“Po ashtu, dy persona ( pronarë të dy laboratorëve) janë arrestuar dhe ndaj tyre është shqiptuar masa e ndalimit me urdhër të Prokurorisë kompetente”.

“Hetimet kanë filluar pas pranimit të informatave relevante që tregonin për zhvillimin e veprimtarive të paligjshme në këto subjekte shëndetësore, përfshirë kryerjen e analizave pa praninë e personelit të licencuar sipas kërkesave ligjore. Në kuadër të hetimeve janë aplikuar edhe masa të veçanta hetimore, të cilat kanë mundësuar mbledhjen e provave materiale që mbështesin dyshimet fillestare”.

“Të gjitha veprimet janë realizuar nën mbikëqyrjen dhe koordinimin e Prokurorisë Themelore në Prishtinë. Hetimet janë në vazhdim dhe institucionet kompetente do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme për zbardhjen e plotë të rastit”, shkruhet në komunikatën për media të policisë së Kosovës.