Janë ndaluar pesë zyrtarët policorë me urdhër të Prokurorit të Shtetit, supendimin e të cilëve e kërkoi Inspektorati Policor i Kosovës.
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka lëshuar urdhrin për këtë masë, nën dyshimet se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”.
Të njëjtit po dyshohen se gjatë arrestimit të Agon Zejnullahut kryen veprën penale “Vrasje nga pakujdesia”, raporton Paparaci.
Rasti ndodhi pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, ku zyrtarët e Policisë së Kosovës kishin reaguar pas pranimit të informacionit se i njëjti, dyshohej se nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë.
Në rrjete sociale u transmetuan pamjet e arrestimit të tashmë viktimës Agon Zejnullahu deri sa rezistonte në një arrestim të cilin po e kryenin katër zyrtarë policorë.
Ai ka vdekur pak çaste pas arrestimit nga Policia e Kosovës. Lidhur me rastin është deklaruar Policia e Kosovës, të cilët kanë dhënë detaje dhe ky rast është cilësuar si “hetim i vdekjes”.
“Sot, rreth orës 00:15, Policia ka pranuar informacionin se një person, që dyshohej të ishte nën ndikimin e alkoolit, po sulmonte automjete dhe kalimtarë në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore kanë reaguar menjëherë për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa në vendngjarje është thirrur edhe ekipi mjekësor emergjent, i cili i ka ofruar ndihmën e parë personit në fjalë. Përkundër përpjekjeve, është konstatuar se ai kishte ndërruar jetë.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore dhe Prokurori për Krime të Rënda. Janë ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Aktualisht policia po vijon hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, ka thënë Policia.
Të hënën IPK rekomandoi suspendimin e tyre.
Në njoftimin për media u tha se Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj në koordinim të vazhdueshëm me Prokurorinë e Shtetit janë duke ndërmarrë veprime hetimore lidhur me vdekjen e një qytetari në Lipjan dhe reagimit të zyrtarëve policorë në këtë incident sot pas mesnatës në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan.
“Në kuadër të veprimeve hetimore përfshihet edhe identifikimi dhe intervistimi i dëshmitarëve okular të këtij rasti si dhe ka filluar mbledhja e provave materiale, incizimeve nga kamerat e sigurisë dhe incizimet nga telefonat mobil. Që të gjitha këto video materiale do të jenë pjesë e ekzaminimeve të detajuara që pritet të ndihmojnë në sqarimin e rrethanave të këtij incidenti por edhe mënyrës së reagimit policor. Në interes të zhvillimit të hetimit, IPK i ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit të përkohshëm për pesë zyrtarët policorë të përfshirë në këtë ndërhyrje/reagim policor( përfshirë një rreshter dhe katër zyrtarë policorë). Suspendimi i tyre është masë administrative e përkohshme dhe në këtë fazë nuk paragjykon përgjegjësinë e tyre ligjore apo profesionale.
IPK në koordinim me Prokurorinë e Shtetit është duke bërë një hetim të pavarur, objektiv dhe të gjithanshëm për të përcaktuar nëse gjatë ndërhyrjes/reagimit policor janë respektuar procedurat ligjore dhe standardet profesionale të veprimit policor. IPK rikujton opinionin e gjerë se rastet e kësaj natyre trajtohen me prioritet të lartë dhe çdo përgjegjësi eventuale individuale apo edhe institucionale do të adresohet bazuar në të gjeturat e hetimit dhe autorizimet ligjore të IPK-së dhe ligjeve të tjera në Republikën e Kosovës”, thuhet tutje.