Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona të dyshuar për veprën penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Sipas njoftimit të Policisë, të arrestuarit janë: M.P, 20 vjeç, L.K, 22 vjeç, A.S, 23 vjeç, B.D, 29 vjeç.
Arrestimi i tyre është bërë pas një pune intensive hetimore nga Stacioni Policor Mitrovicë Veri.
Të dyshuarit janë identifikuar dhe arrestuar mbi bazën e dyshimeve të arsyeshme për përfshirje në një përleshje të ndodhur më 17 mars 2025, në një kafiteri në rrugën “Xhon Kenedi”, Mitrovicë Veri.
Si pasojë e kësaj përleshjeje, janë lënduar dy persona: M.P, 33 vjeç dhe një 27-vjeçare.
Të lënduarit kanë marrë tretman mjekësor dhe vazhdojnë të jenë nën përkujdesje mjekësore në Spitalin Rajonal të Mitrovicës Veriore.
Pas intervistimit, prokurori i rastit ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarve për 48 orë.
“Policia e Kosovës ka ritheksuar përkushtimin e saj për të luftuar dhunën dhe për të garantuar sigurinë e qytetarëve. Po ashtu, inkurajon qytetarët të raportojnë raste të ngjashme për të mundësuar ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme ligjore.”