Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar katër gjuetarë të dyshuar serbë, për kalimin ilegal të kufirit nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës.
Njoftimin për arrestimin e tyre, policia e ka dhënë në një komunikatë ku ka demantuar raportimet e mediave serbe, në të cilat shkruhej se një “grup i armatosur shqiptarësh ka qëlluar (ka hapur zjarr) drejt pjesëtarëve të ushtrisë serbe pranë bazës së ashtuquajtur ‘Debela Glava’”.
“Gjatë realizimit të detyrave të rregullta operacionale gjatë ditës së djeshme, vlen të ceket se njësite policore kanë arrestuar katër persona të dyshuar ( gjuetarë) shtetas të Serbisë për kallim ilegal të vijës kufitare dhe armëmbajtje pa leje, te cilët kanë hyrë nga territori i Serbisë në Republikën e Kosovës. Armët dhe municioni i gjetur janë konfiskuar, ndërsa të dyshuarit, me vendim të organeve kompetente të drejtësisë, janë dërguar në mbajtje konform procedurave ligjore.”
“Policia e Republikës së Kosovës u bën thirrje mediave që të referohen vetëm në burime të verifikuara dhe të shmangin publikimin e informacionit të pa konfirmuar, i cili mund të ndikojë negativisht në rendin dhe sigurinë publike.” – thuhet në njoftim.











