Arrestohen dy të rinj për prerje të pyjeve në Parkun Kombëtar “Sharri”, fillimisht i ikën Policisë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy persona në Kaçanik për prerje të pyjeve në Parkun Kombëtar “Sharri”. Të arrestuarit janë një 31-vjeçar me inicialet F.V dhe një 34-vjeçar me inicialet K.V.

Sipas Policisë, të dy të dyshuarit, me dy motor-sharra, kishin filluar të prenin dru në vendin e quajtur “Llageri”, Parku Kombëtar “Sharri”në zonën e Kaçanikut.

Ata kanë tentuar edhe të ikin.

“Policia ka reaguar, por të dy të dyshuarit nuk janë ndalur në vendngjarje, duke u larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftim.

Në vendngjarje, Policia ka gjetur automjetin Nissan të ngarkuar me dru, një motor-sharrë dhe një telefon.

“Të gjitha këto janë konfiskuar nga policia, ndërsa veprimet janë zhvilluar në koordinim me prokurorin kujdestar. Rreth orës 15:00, të dy personat e dyshuar janë arrestuar dhe pas intervistimit nga hetuesit policorë, me vendim të prokurorit, ata janë ndaluar për 48 orë për procedura tjera hetimore”, thuhet në njoftim.