Policia ka arritur t’i arrestojë dy të dyshuarit për grabitjen e armatosur në një market në Ferizaj.
I.D. 35 vjeç dhe M.Q. 27 vjeç janë arrestuar të martën dhe janë në ndalim për 48 orë.
Më 3 mars, dy të dyshuarit janë futur në market, të maskuar, dhe kanë vjedhur rreth 1,000 euro nga aty.
“Nga deklarata e ankueses (punëtores së marketit) dhe shqyrtimi i pamjeve nga kamerat e sigurisë, është konstatuar se dy persona të maskuar, nën kërcënimin e armës, kanë hyrë në market dhe kanë marrë një shumë të parave, rreth 1,000 euro”, thuhet në njoftimin e PK-së.
Policia ka bastisur edhe banesën e të dyshuarve dhe ka siguruar prova nga aty.