Arrestohen dy 18-vjeçarë në Obiliq, dyshohen për tetë raste të vjedhjeve të rënda

Janë arrestuar dy 18-vjeçarë në Obiliq, pasi dyshohet se janë përfshirë në së paku tetë raste të vjedhjeve të rënda.

Këtë për Klankosova.tv e ka bërë të ditur zëdhënësja e Policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se bëhet fjalë për vjedhje të parave nga aparatet e  pagesave për larje veturash, vjedhje të rënda këto që janë raportuar kryesisht në rajonin e Prishtinës.

“Zyrtarët nga Njësiti i hetimeve të stacionit të Obiliqit, pas një pune hetimore  kanë arritur të identifikojnë gjashtë persona të dyshuar për vjedhje të rënda, dy prej të cilëve i kanë arrestuar. Personat e dyshuar: B.B. mashkull, 18 vjeç, shtetas i Kosovës dhe D.O. mashkull, 18 vjeç, shtetas i Kosovës, dyshohet se janë të përfshirë në së paku tetë raste të vjedhjeve të rënda”.

“Bëhet fjalë për vjedhje të parave nga aparatet e pagesave për larje veturash (vetëshërbim), vjedhje të rënda këto që janë raportuar kryesisht në rajonin e Prishtinës. Pas arrestimit, me vendim të prokurorit të shtetit janë dërguar në mbajtje prej 48 orësh, përderisa hetuesit janë në kërëkim të edhe katër personave të tjerë të dyshuar, të cilët tashmë janë identifikuar”, thuhet në konfirmim./