Arrestohen 2 persona, të cilët dyshohet se vranë dhe dogjën veteranin e UÇK-së në Skënderaj

Skuadra për Hetimin e Krimeve të Rënda në kuadër të Drejtorisë Rajonale në Mitrovicë, pas një hetimi intensiv dje ka identifikuar dhe ka arrestuar dy persona të dyshuar për veprën penale “vrasje e rëndë” të ndodhur me datën 8 prill 2019 në Skenderaj.

Të arrestuarit janë H.F., 32-vjeç dhe K.I., 19-vjeç, që të dy shtetas kosovarë.

Përveç arrestimit, hetuesit policorë në zonën e Skenderajt kanë realizuar edhe dy bastisje në dy lokacione të ndryshme në shtëpitë e të dyshuarve, me ç’rast në cilësi të provave materiale janë gjetur dhe konfiskuar dy pushkë automatikë AK 47 dhe 14 copë fishekë.

Po ashtu, është sekuestruar një veturë, e cila dyshohet se është shfrytëzuar nga të dyshuarit në kryerjen e “veprës penale”.

Me urdhër të prokurorit të rastit dy të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.