Arrestohen 10 persona në Gjakovë, u kapën duke luajtur bixhoz të paligjshëm

Policia e Kosovës ka pranuar informatë për organizimin e bixhozit të paligjshëm në një objekt banesor në qytetin e Gjakovës.

Sipas njoftimit, Policia ka ndërmarrë veprime të menjëhershme duke ekzekutuar urdhër-kontrollin në dy lokacione të dyshuara.

Gjatë këtij operacioni, njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale:

• Tre aparate të lojërave të fatit (APEX),

• Rreth 6 mijë euro dhe disa qindra të tjera në valuta të ndryshme të vendeve të tjera,

• “Qipa të pokerit” dhe letra bixhozi si dhe

• Një pistoletë me një karikator.” – thuhet në njoftim.

PK tutje ka bërë të ditur se janë arrestuar 10 persona dhe janë dërguar në mbajtje.

Si rezultat i këtij aksioni, janë arrestuar 10 persona të dyshuar (meshkuj të moshës madhore), të cilët, pas intervistimit në prani të avokatëve mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit janë dërguar në mbajtje për 48 orë, përderisa rasti po hetohet në drejtim të veprave penale: “Organizimi i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armës” – thuhet tutje në njoftim.