Arrestimi i Veliajt, Rama: E morën nga puna dhe e mbyllën pa gjyq në qeli, s’do hesht më për drejtësinë e re

“Heshtja jonë, i ka ndihmuar institucionet e reja të drejtësisë deri këtu”.

“Marrja nga puna për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla është një ngjarje tejet e madhe që nuk mund ta kaloj me formulën 5 vjeçare s’kam koment. Nuk do i mbaj më për vete komentet e mia”.

Kështu është shprehur kryeministri Edi Rama, sa i takon arrestimit të kryebashkikut të Tiranës, Erion Veliaj, një ditë më parë.

Më tej theksoi se “s’kam asnjë pendesë për heshtjen por kjo heshtje është keqkuptuar”.

“Heshtja jonë, i ka ndihmuar institucionet e reja të drejtësisë deri këtu. Deri tani, u mungon kritika konstruktive, nxjerrja në pah e të metave. Pozicioni konstruktiv është bosh. Asnjë pendesë për heshtjen këto 5 vjet, por me shumë gjasë, heshtja jonë është keqkuptuar, jo vetëm nga armiqtë e reformës në drejtësi, por edhe nga disa konsumatorë, që kërkojnë privilegje speciale që janë dhënë nga reforma”, theksoi ai.

Rama shtoi se “mbështetja jonë për drejtësinë do vazhdojë njësoj, e pa lëkundur, por nuk ka pse të mos i shprehim opinionet kritike, për të konsoliduar pozicionin e drejtësisë së pavarur”.

Në rubrikën ‘Sy m’sy’, Rama thotë se Shqipëria ka vite që lufton korrupsionin.

“Në Shqipëri ka disa vite një luftë kundër korrupsionit, ga ana e qeverisë me reformat e veta modernizuese, transformimin e shërbimeve, nga ato të korruptuara  në shërbime të modernizuara”.