Arrestimi i Naim Bazajt, flasin familja e tij

Familja e Naim Bazaj, i cili u arrestua dje pasi dyshohet për “detyrim” dhe “prezantim të rremë”, kanë reaguar lidhur me rastin.

Në një prononcim të dhënë për Gazetën Insajderi, familja e Bazajt, pretenduan se ai nuk është i përfshirë në veprime të jashtëligjshme si posedim armësh apo mjete të ndaluara.

“Me keqardhje të thellë kemi pranuar lajmet për arrestimin e z. Naim Bazaj, një figurë e njohur dhe e respektuar në komunitetin tonë, i cili për vite me radhë ka qenë komandant i çmuar në luftën tonë të fundit dhe kontribuues i palodhshëm për lirinë dhe dinjitetin e kombit.

Akuzat e përhapura në disa media dhe rrjete sociale, të cilat sugjerojnë përfshirje në veprime të jashtëligjshme si posedim armësh apo mjete të ndaluara, janë tërësisht të pavërteta dhe të motivuara politikisht. Këto lajme nuk kanë asnjë bazë reale dhe synojnë vetëm të dëmtojnë figurën publike e kombëtare të z. Bazaj dhe të njollosin historinë e tij të pasur me vepra atdhetarie”, thanë ata.

Tutje, sipas tyre Bazaj është i pafajshëm dhe do të bashkëpunojë me institucionet për të dëshmuar qartë të ‘vërtetën’.

“Ne, familja Bazaj, deklarojmë me vendosmëri se: Z. Naim Bazaj është i pafajshëm. Ai ka bashkëpunuar dhe do të bashkëpunojë me institucionet për të dëshmuar qartë të vërtetën. Ne i besojmë drejtësisë dhe kërkojmë që procesi të jetë transparent dhe i paanshëm”.

Për çka u arrestua dje nga Policia, Naim Bazaj?

Naim Bazaj, është arrestuar si i dyshuar për disa vepra penale të rënda, përfshirë “Detyrim”, “Prezantim i rremë si person zyrtar” dhe “Mbajtje të paautorizuar të armëve”.

Policia e Kosovës ka dhënë detaje nga kontrolli në shtëpinë e tij ku ka gjetur shtatë armë zjarri, 290 fishekë, një telefon mobil dhe një kontratë.

“Prishtinë  01.04.2025 – 10:00. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka kryer veprat e cekura më lartë. Gjatë kontrollit të shtëpisë dhe objekteve përcjellëse janë gjetur dhe sekuestruar shtatë armë zjarri, 290 fishekë, një telefon mobil dhe një kontratë. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raportin 24-orësh të policisë

Naim Bazaj, ditë më parë, në emisionin “Frontal” e kishte konfirmuar pjesëmarrjen ne garën për kryetar të Komunës së Drenasit.