Arrestimi i ish-ushtarit të UÇK-së, Gucati: Serbia është në gjah ndaj luftëtarëve tanë

Ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Qenaj, raportohet se është ndaluar nga autoritetet serbe sapo ka hyrë në territorin e Serbisë. Ai, që dikur shërbeu në Brigadën 138 “Agim Ramadani” në Koshare, po mbahet në paraburgim nën një masë 48-orëshe, deri në paraqitjen e kallëzimit penal pranë prokurorisë kompetente në Serbi.

Lidhur me ngjarjen ka reaguar kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati, i cili ka shprehur shqetësim të thellë për situatën dhe ka bërë thirrje të përsëritur që ish-luftëtarët e UÇK-së të shmangin udhëtimin përmes Serbisë.

Gucati tha në një deklaratë se ende nuk ka informacione të plota për rastin, por theksoi se Serbia po vazhdon politikën e ndalimeve arbitrare.

“Kam dëgjuar se është arrestuar që Avni Qenaj nga fshati Romaj e Hasit. Kështu me keqardhje po them, më vjen keq që ende nuk kam të dhënë konkrete. Me sa po flitet është pjesëtar i UÇK-së. Besoj që do të jetë ashtu. Megjithëse nuk po mundemi t’i nxjerrim të dhënat tona”, ka deklaruar Gucati në “TV Dukagjini”.

“Unë besoj që po gabojnë që po i bijnë këta djem nëpër Serbi. Ne iu kemi bërë apel edhe përmes televizionit tuaj, që çdo njeri që është pjesëtar i UÇK-së të mos shkoj nëpër Serbi. Se Serbia është duke hulumtuar, është nëpër gjah që t’i ndal të gjithë pjesëtarët e UÇK-së dhe tu ngrit aktakuza edhe pa bazë”, shtoi ai.