Arrestimi i dyfishtë i ish-bashkëshortit, dyshime serioze për ndërhyrje në Polici nga Edona Llalloshi

Një paraburgim njëmujor, një ndalim 48-orësh dhe dy aktakuza ndaj Gazmend Haxhifejzullahut e kanë shndërruar një rast familjar në çështje me interes publik. Ish-bashkëshorti i Edona Llalloshit po ndiqet penalisht në dy raste, ndërsa katër kallëzime penale të deponuara kundër deputetes së Vetëvendosjes vazhdojnë të mbesin të patrajtuara.

Edona Llalloshi duket se ka pasur një arsye të fortë për t’i thurur këngë kryeministrit Albin Kurti për së gjalli, siç bëri të shtunën më 13 dhjetor gjatë një tubimi partiak në Cyrih.

Deputetja e Vetëvendosjes dyshohet se gjatë një viti të plotë kalendarik ka shfrytëzuar autoritetin e saj politik për të ndikuar në Policinë e Kosovës, e cila udhëhiqet nga ministri i Brendshëm Xhelal Sveçla, në një çështje që buron nga një konflikt familjar.

Llalloshi, e cila në dhjetor të vitit 2024 e denoncoi për dhunë në familje ish-bashkëshortin e saj Gazmend Haxhifejzullahun – vetëm disa ditë pasi aderoi në Lëvizjen Vetëvendosje, në prag të zgjedhjeve të shkurtit 2025 – ndodhet në proces të shkurorzimit me të.

Çifti, që ka dy fëmijë, i dha fund martesës në shkurt të vitit 2024, pas 14 vitesh bashkëjetese. Arsyeja e ndarjes, sipas denoncimit të Llalloshit, ishte ushtrimi i dhunës psikologjike nga Haxhifejzullahu.

Me ndarjen nisi edhe procedura civile për pjesëtimin e pasurisë së përbashkët, si dhe një përballje e gjatë gjyqësore lidhur me rregullimin e kujdestarisë dhe kontakteve me fëmijët.

Pas denoncimit për dhunë në familje të paraqitur nga deputetja, autoritetet e drejtësisë ndërmorën masa të rënda sigurie ndaj ish-bashkëshortit të saj, përfshirë një paraburgim njëmujor dhe, në një rast tjetër, një ndalim 48-orësh. Aktualisht ndaj tij ekzistojnë dy aktakuza: një për dhunë në familje dhe një tjetër për shpërfillje të urdhrit të Gjykatës, që lidhet me një urdhër mbrojtës për fëmijët.

Edhe pse procesi gjyqësor është ende në zhvillim dhe pa aktgjykim të formës së prerë, mënyra, ritmi dhe ashpërsia e veprimeve institucionale kanë ngritur dyshime serioze për ndikim të drejtpërdrejtë institucional të ushtruar nga denoncuesja, e cila në shkurt të vitit 2025 u zgjodh deputete e Kuvendit të Kosovës.

Paparaci e ka siguruar dosjen e plotë të rastit.

Arrestimi i parë i Haxhifejzullahut, nën dyshimet për dhunë në familje, ndodhi në dhjetor të vitit 2024, vetëm disa ditë pas aderimit të ish-bashkëshortes së tij në Lëvizjen Vetëvendosje dhe rreth dhjetë muaj pas ndarjes faktike të çiftit.

Ai u arrestua pas denoncimit të Llalloshit për ushtrim të dhunës psikologjike, e cila klasifikohet si vepër penale e dhunës në familje. Në kallëzim, deputetja pretendonte se kishte qenë subjekt i dhunës psikologjike të vazhdueshme që nga viti 2013, duke e lidhur atë me profilin fetar të ish-bashkëshortit të saj.

Në dhjetor të vitit 2024, Haxhifejzullahu qëndroi një muaj në paraburgim, bazuar në masën e sigurisë të caktuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Disa javë më vonë, ndaj tij u ngrit aktakuzë për dhunë në familje, sipas të dhënave të dosjes.

Në vitin pasues, përballja gjyqësore mes palëve u fokusua kryesisht në çështjen e kujdestarisë së fëmijëve.

Në shtator të këtij viti, Haxhhifejzullahu u arrestua për herë të dytë pas një tjetër denoncimi të deputetes Llalloshi për shpërfillje të urdhrit të Gjykatës, që lidhej me urdhrin mbrojtës për fëmijët pasi Haxhifejzullahu kishte shkuar t’i takonte ata në ditën e parë të vitit të ri shkollor.

Ai u denoncua për shkelje të urdhrit mbrojtës të gjykatës më 1 shtator por nga zyrtari policor me emrin Zjarr i Stacionit “Jugu” në Prishtinë, Haxhifejzullahu dhe avokati i tij u njoftuan se prokurori i rastit e ka mbyllur rastin me raport të veçantë, tregojnë informatat që ka siguruar Paparaci.

Në të njëjtën ditë, pas rreth një ore ka thirrur një zyrtar tjetër policor i të njëjtit stacion, sipas informatave që ka Paparaci, dhe e ka njoftuar Haxhifejzullahun se pavarësisht prej mbylljes së rastit me raport të veçantë “duhet të paraqitesh për të dhënë deklaratë”.

Më 3 shtator, lënda u transferua nga Stacioni Policor “Jugu” në stacionin në Lagjjen e Muhaxherëve.

Siç u njoftua Haxhifejzullahu, rasti u transferua në stacionin ku lëndët trajtohen në nivel drejtorie e jo stacioni “pasiqë Edona Llalloshi është deputete”, duke thelluar dyshimet nëse pozita politike e denoncueses ka ndikuar në ashpërsinë dhe ritmin e veprimeve institucionale..

Pasi u lajmërua në stacion, hetuesit policorë e njoftuan Haxhifejzullahun dhe avokatin e tij se në koordinim me prokurorin e rastit është urdhëruar ndalimi i tij prej 48-orësh.

Pas 48-orësh, prokurori ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj Haxhifejzullahut. Gjykata e ka refuzuar kërkesën. I ka caktuar atij arrest shtëpiak prej 30 ditësh.

Për këtë rast, Gazmond Haxhifejzullahu ka aktakuzë të ngritur nga Prokuroria e Prishtinës për veprën penale të mospërfilljes së urdhrit të Gjykatës. Lëndën e ka në trajtim gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Edita Çanta.

Raporti i policisë i datës 03.09.2025 tregon se rasti kishte ndodhur më 1 shtator, 2025, ndërsa i dyshuari ishte ndaluar më 3 shtator

Policia e Kosovës, e pyetur në lidhje me rastin në të cilin dyshohet se është ushtruar ndikim institucional për t’i shpejtuar veprimet, nuk ka sqaruar shumë rreth procedurës së ndalimit të Haxhifejzullahut dy ditë pas denoncimit të rastit.

Në një përgjigje me shkrim për Paparacin të martën, Zyra për Informim e Policisë së Kosovës deklaroi se rasti është paraqitur në Polici më 3 shtator 2025.

“Lidhur me pyetjet tuaja, ju njoftojmë se rasti është paraqitur në polici më 03.09.2025. Të gjitha veprimet lidhur me këtë rast janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë.

Derisa lëndët kundër ish-bashkëshortit janë trajtuar me ritëm të shpejtë, ato kundër deputetes Llalloshi nuk kanë pasur të njëjtin standard trajtimi. Ish-bashkëshorti i deputetes ka deponuar katër kallëzime penale ndaj saj, por asnjë prej tyre nuk ka rezultuar me veprime konkrete institucionale.

Deputetja është denoncuar për shpërfillje të urdhrit të Gjykatës lidhur me të drejtën e kontaktit të Haxhifejzullahut me fëmijët e tij, si dhe për marrjen dhe mbajtjen e kundërligjshme të fëmijëve në një rast tjetër.

Në rastin e parë, ajo dyshohet se i ka penguar fëmijët të realizojnë kontakt me të atin, ndonëse Gjykata e kishte rregulluar këtë çështje me masë të veçantë sigurie. Në rastin e dytë, deputetja dyshohet se në tetor të vitit 2025, pa pëlqimin e ish-bashkëshortit, i mori fëmijët dhe u largua nga Kosova.

Sipas kallëzimit penal të deponuar në Prokurorinë e Shtetit në nëntor të këtij viti, ajo dyshohet se udhëtoi bashkë me dy fëmijët e mitur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa dijeninë dhe pëlqimin e të atit.

Për të njëjtën çështje, Haxhifejzullahu e ka lajmëruar edhe Ambasadën e ShBA-ve në Prishtinë.

Edona Llalloshi në një nga aktivitetet e saj në muajin nëntor të këtij viti në ShBA

Sipas këtij lajmërimi që ai ka bërë në Ambasadë, shteti amerikan është vënë në dijeni për largimin e fëmijëve të tij nga Kosova në ShBA në mënyrë të njëanshme, pa lejen e tij nga deputetja Llalloshi.

Ambasada amerikane po ashtu është lajmëruar se gjatë atij udhëtimi të tetorit të këtij viti ka kënduar  në dy dasma në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa i lajmëruar autoritetet amerikane dhe duke iu shmangur taksave.

Paparaci ka kërkuar sqarime nga Prokuroria Themelore në Prishtinë lidhur me dy rastet penale të Haxhifejzullahut, por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli nuk ka marrë përgjigje.