Arrestime për tregti votash, nisin hetime për cenim të procesit zgjedhor

Gjatë zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, pati edhe “korrupsion” votash.

Sipas Policisë të Kosovës, të premten një person në Graçanicë u arrestua për veprën penale “Dhënia ose marrja e ryshfetit në lidhje me votim”, transmeton Klankosova.tv.

I dyshuari, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

“Me 17.10.2025 lidhur me rastin është arrestuar edhe një i dyshuar mashkull kosovar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Po ditën e premte, në Mitrovicë të Veriut, u iniciua rast ndaj një gruaje, nën dyshimin se kishte cenuar përcaktimin e lirë të votuesit, në këtë rast viktimës.

Organet e rendit kanë bërë të ditur se e dyshuara kishte telefonuar ankuesin, duke e pyetur se a kishte votuar në ditën e zgjedhjeve.

“Me 17.10.2025 është iniciuar rasti ndaj të dyshuarës femër kosovare, e cila ka telefonuar ankuesin mashkull kosovar, duke e pyetur se a kishte votuar në ditën e  zgjedhjeve. E dyshuara është identifikuar dhe është intervistuar, pastaj me vendim të prokurorit është liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin 24-orësh të PK-së.