Në rajonin e Prizrenit, Policia e Kosovës ka zhvilluar bastisje në shtëpi e banesa të tre të dyshuarve, si dhe në një ndërmarrje publike e një biznes privat, në kuadër të hetimeve për keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas Policisë, gjatë kontrollit janë konfiskuar dokumente/kontrata, një armë e gjatë me karikator me 20 fishekë, dy laptopë, para dhe dëshmi të tjera.
Dy të dyshuar janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.
Dje, dy persona janë arrestuar në aksionin e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) në ndërmarrjen “Ekoregjioni” në Prizren, mëngjesin e së hënës. Aksioni ka të bëjë me hulumtimin e zhvilluar nga “Betimi për Drejtësi” lidhur me tenderin afër 400 mijë euro për blerjen e 5 kamionëve dhe një autofshese.
Prokurori i rastit, Halim Borovci konfirmoi se të arrestuar në këtë aksion janë Arbër Gashi- shef i njëjsisë së ekoregjionit në Prizren dhe R.Z.- nga kompania “Dielli” që ka shitur kamionat.
“Me urdhër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të hënën në mëngjes janë arrestuar A.G dhe R.Z. A.G dyshohet për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 414 paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të KPRK-së”, ndërsa R.Z për “Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurimin publik nga neni 415 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së”, thuhet në njoftimin e PSRK-së.
Bëhet e ditur e hetuesit policorë kanë kryer bastisje në disa lokacione në Prizren dhe në Ferizaj, përfshirë ambientet e ndërmarrjes publike “Eko Regjioni” si dhe të një subjekti privat.
“Urdhër kontrolli është realizuar si një hap i rëndësishëm procedural, në kuadër të hetimeve që Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës është duke i zhvilluar lidhur me dyshimet për një aktivitet të tenderimit. Gjatë zbatimit të urdhër kontrollit, në mesin e provave janë gjetur dhe sekuestruar një pushkë automatike AK-47 si dhe para të gatshme”, thuhet në njoftim.










