Arrest shtëpiak mjekut vushtrrias që dyshohet se mori ryshfet për lëshimin e pushimeve mjekësore

Gjykata Themelore në Mitrovicë ka caktuar masën e arrestit shtëpiak prej një muaji për Avdullah Vojvodën, mjeku i cili u arrestua më 28 tetor nën dyshimin për marrje të ryshfetit.

“Gjykata Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit A.V., dhe ndaj tij është caktuar masa e arrestit shtëpiak, në kohëzgjatje prej një (1) muaji. Sipas Aktvendimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë – Departamenti për Krime të Rënda, të pandehurit A.V. kjo masë është caktuar për shkak të dyshimit të bazuar se i pandehuri ka kryer veprën penale “Marrje e ryshfetit”, nga neni 421 paragrafi 1 të 164 paragrafi 1 të KPRK-së”, njofton Gjykata, transmeton Klankosova.tv.

Për arrestimin e Vojvodës, organet e rendit kanë dhënë edhe detaje tjera, pas arrestimit të tij të martën.

Dyshohet se ai për qëllim të përfitimit personal për shërbime të ofruara nga pacientët kishte kërkuar dhe pranuar shuma të ndryshme të hollave nga 10 deri 50 euro për të ju lëshuar raporte për pushime mjekësore.

Vërejtje:

Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.