Altin Ndoci dyshohet se është fshehur në Tiranë. Gazetarja Klodiana Haxhiaj tha në emisionin “Studio 24” se automjeti tip “Audi” me të cilin u arratis 38-vjeçari është parë për herë të fundit në autostradën Tiranë-Durrës, pranë Vorës.
Ajo tha se policia ka humbur gjurmët në këtë zonë, ndërsa po punon për të mbledhur kamerat e sigurisë në hyrje të kryeqytetit.
“38 vjeçari duket se është fshehur në Tiranë. Janë këto informacionet e fundit që vijën nga grupi hetimor në Durrës. Makina Audi, me të cilin u arratis rreth orës 13: së bashku e një person tjetër, është parë për herë të fundit në autostradën Tiranë Durrës duke kaluar Vorën. Në hyrje të Tiranës, policia ka humbur gjurmët e automjetit.”, tha gazetarja.
Sipas gazetares, një tjetër detaj që e shtyn grupin hetimor se ngjarja ka qenë e planifikuar është fakti se policia është njoftuar 10 minuta me vonesë.
“Është vonesa me të cilën është lajmëruar policia e Durrësit. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e repartit infektiv të spitalit, ngjarja ka ndodhur në orën 13:02 minuta. Ku në katin e 4 ku është edhe një zonë e posaçme për trajtimin e të burgosurve, ndërkohë policia e Durrësit është lajmëruar në 13:12 minuta. 10 minuta me vonesë”, u shpreh gazetarja.










