Armët sekrete të Kurtit në Golesh

Col MEHMETI

19 shtator 2025 – Të tulatur gati 500 vjet nën robninë osmane, disa shqiptarë në një mijë e nëntëqind e dymbëdhjetën i mbante gjallë besimi i fukarasë se perandoria, megjithë teposhtëzat e saj, kishte një siprani mbi qafirët.

Me tone të lezetshme sardonike, Fan Noli i lidhi fijet e tregimit të bukur ‘Top i lidhur’.

Asokohe, njerëzia besonte me të madhe se Sulltani atje në Stamboll, në Topkapi saraj, e mbante një top të madh.

Aq e tmerrshme ishte kjo super-armë sa çaushët e azganët e sulltanit e mbanin të lidhur me zinxhirë në bodrumin e errët të Pallatit.

Topi po të ‘çprangosej’ e shkëputej nga zinxhirët rrezikonte ta përmbyste dynjanë.

Ndaj, Baba Mbret, urtë e butë, e mbante të lidhur, por nëse Evropa e tepronte me marifetet e saj, topi vallahi-bilahi do të merrte hak e pastaj do të këndohej tjetër këngë.

Në kohën e Hyrrijetit (me demek lirisë konstitucionaliste të 1909-s) u themeluan plot klube kulturore shqiptare.

Njëri prej tyre ishte edhe klubi Liria në Selanik.

Por kur Çajupit i rastisi të hynte në klub, aty nuk gjeti as shqiptarë e as aktivizëm shqiptarist.

Aty luhej kockë, pihej duhan e jo të paktë ishin njerëzit me tespihe në dorë që ishin besimplotë se po të donte Perandoria Osmane e përlante Evropën si një copë bakllave.

Aty kujtohej me sy të përlotur e me krenari kallpe koha kur sulltanët e rrethuan dy herë Vjenën me asqerë, jeniçerë, dyfekë e çadra.

Në vjeshtën e 1912-s, ushtria osmane u turpërua përballë ushtrish xhuxhe të Bullgarisë, Greqisë, Serbisë e Malit të Zi.

Derisa ushtria mori ikën me tren e me avullore drejt Stambollit, popullata shqiptare, sidomos ajo në Kosovë e Maqedoni, u bë subjekt pogromesh e masakrash të pashembullta.

Mu atëherë në popull kudo po mërmëritej thashethema se ushtria osmane e kishte marrë Sofjen e po marshonte triumfalisht drejt Beogradit.

Kjo ishte një shkëputje e dhimbshme prej realitetit duke mërguar në një realitet alternativ.

Në terma të psikologjisë, robi gjithmonë e do realitetin imagjinativ sepse aty nuk gjen as përjashtim, as përbuzje e as dobësi.

Kjo vramendje në këtë parodi noliane e pati si sebep sjelljen mendjemadhe e psikopate të njeriut që sot nuk është as kryeministër e as deputet, por që nuk e lëshon Kosovën për aq sa e lëshon pushtetin një lideruc në Lindjen e Mesme.

Kurti, i cili tash në klubin e të sanksionuarve ka shokë vetëm Lukashenkon, Dodikun e Putinin, ashtu sikurse edhe banditët e Hamasit, po sillet sikur acarimi i ShBA-së me të është veçse cikërrimë kalimtare, zënkë çifti, bile e fryrë nga mediat.

Ideja që po regëtin e dobët në ndërdijen kolektive, ose së paku ndër mbështetësit fanatikë të regjimit albinkurtist, është sikur Kosova ka një super-armë, një top të lidhur, që do t’ia nxjerrë për hundësh ‘gjynahet’ Perëndimit.

Kudo nxjerr krye kjo bindje e krisur se kemi një superioritet ontologjik karshi Perëndimit.

Dhe këtë hakmarrje të mezipritur do ta bëjë super-Albini që ka një top të madh, të frikshëm, armë sekrete në totalitetin e vet, që ruhet lidhur me zinxhirë në një qymez të thellë në Golesh.

Ai do ta restaurojë dinjitetin tonë e do të hakmerret për të gjitha vuajtjet tona.

Sabër!