Lufta e Parë Botërore kishte vetëm 5 muaj që kishte shpërthyer, por Europa tashmë ishte shndërruar në një varrezë gjigante. Miliona ushtarë gjermanë, britanikë, francezë e belgë ishin ngujuar në llogoret që shtriheshin nga Deti i Veriut deri në kufijtë e Zvicrës. Sipas përshkrimeve të BBC, kushtet ishin çnjerëzore: baltë deri në gju, ujë i ngrirë, minj, morra dhe një erë e padurueshme vdekjeje që vinte nga trupat e pajetë të shtrirë mes dy fronteve.
Dimri i vitit 1914 ishte i ashpër. I ftohti depërtonte deri në palcë dhe shpresa dukej po aq e ngrirë sa toka. Trupat e të vrarëve qëndronin për ditë të tëra në “tokën e askujt”, të paarritshëm nga zjarri i armëve. Pastaj erdhi mbrëmja e 24 dhjetorit. Sipas dëshmive të ruajtura në arkivat ushtarake dhe të raportuara nga “The New York Times”, ushtarët gjermanë ndezën qirinj mbi pemët e vogla të Krishtlindjes që familjet u kishin dërguar nga shtëpia. Nga llogoret u dëgjuan këngë si “Stille Nacht”. Përballë, britanikët fillimisht heshtën, më pas duartrokitën. Pak çaste më vonë, iu përgjigjën me “Silent Night” në anglisht.

Ajo që pasoi ishte e paimagjinueshme për një luftë moderne. Ushtarë nga të dy anët dolën nga llogoret, fillimisht me frikë, më pas me buzëqeshje. U takuan në mes, shtrënguan duart, shkëmbyen cigare, çokollata dhe ushqime festive. Shfaqën fotografi të grave, fëmijëve dhe prindërve të tyre. Flisnin për jetën para luftës, për Krishtlindjet në shtëpi dhe talleshin me absurditetin e konfliktit që i kishte sjellë aty.
Në disa sektorë ata bashkëpunuan për të varrosur të vdekurit, duke mbajtur ceremoni të përbashkëta përkujtimore. Në disa vende u organizuan edhe ndeshje futbolli spontane, ku topi improvizohej dhe rezultati kishte pak rëndësi. Oficerë të rangut të ulët morën pjesë ose të paktën mbyllën sytë. Por kjo paqe njerëzore zgjati pak.

Kur lajmi mbërriti te komandat e larta, reagimi ishte i menjëhershëm dhe i ashpër. Gjeneralët britanikë dhe gjermanë e panë armëpushimin si një rrezik serioz për disiplinën dhe moralin luftarak. U dhanë urdhra të rreptë që të ndalohej çdo kontakt me armikun dhe luftimet rifilluan brenda pak ditësh. “Armëpushimi i Krishtlindjes” u shua shpejt, ndërsa lufta vazhdoi edhe 4 vite të tjera, duke marrë jetën e rreth 8.5 milionë ushtarëve.
E megjithatë, ajo natë mbeti edhe falë futbollit. Në një vend ku heroizmi zakonisht matet me gatishmërinë për të vrarë ose për të vdekur, këta burra zgjodhën një formë tjetër guximi: ta shihnin njëri-tjetrin si njerëz për Krishtlindje. Ata depërtuan përtej uniformave, gjuhëve dhe urdhrave dhe gjetën ngushëllim tek përbashkësia e dhimbjes. Pikërisht për këtë arsye kjo histori vazhdon të na prekë edhe sot.
The post Armëpushimi i Krishtlindjes 1914; futboll, këngë dhe paqe në mes të “ferrit” appeared first on Telesport.













