Armenia dhe Azerbajxhani kanë nënshkruar një marrëveshje historike paqeje në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë fund dekadave të konfliktit dhe duke hapur një kapitull të ri bashkëpunimi rajonal.
Nën ndërmjetësimin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, marrëveshja përfshin rihapjen e rrugëve kryesore të transportit dhe krijimin e një korridori të madh tranziti që do të quhet “Rruga Trump për Paqe dhe Prosperitet Ndërkombëtar”, raporton AP.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, ky korridor do të lidhë Azerbajxhanin me enklavën e saj autonome, Nakhçivan, përmes një segmenti 32 kilometra të territorit armen, një çështje që ka penguar negociatat e paqes në të kaluarën. Kjo linjë e re e transportit pritet të lejojë lidhje të papenguar mes dy vendeve, duke respektuar sovranitetin dhe integritetin territorial të Armenisë.
Në ceremoninë e nënshkrimit, Trump e cilësoi marrëveshjen si një arritje të madhe: “Tridhjetë e pesë vjet ata luftuan dhe tani janë miq. Ky është një moment i madh dhe një nder i madh për mua, edhe pse emrin e rrugës nuk e kërkova unë, ishte propozim i palës armene”, tha Trump.
Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, e përshkroi marrëveshjen si fillimin e një partneriteti strategjik dhe theksoi rëndësinë e korridorit të ri:
“Kjo do të krijojë mundësi lidhjeje për shumë vende. Ne po hapim një faqe të re në marrëdhëniet tona”, tha ai.
Kryeministri i Armenisë, Nikol Pashinyan, e cilësoi dokumentin e nënshkruar si një “moment historik” dhe një mundësi për të ndërtuar një të ardhme më të mirë: “Po hedhim themelet për të shkruar një histori më të mirë se ajo që kemi pasur në të kaluarën”.
Të dy udhëheqësit vlerësuan rolin e Trump-it dhe ekipit të tij, duke iu bashkuar thirrjeve nga liderë të tjerë botërorë që presidenti amerikan të marrë Çmimin Nobel për Paqen. Aliyev tha se “Presidenti Trump në gjashtë muaj bëri një mrekulli”.
Marrëveshja është pjesë e një serie iniciativash të administratës Trump për të ndërmjetësuar paqe në zona me konflikte të gjata. Këtë vit, SHBA ka ndihmuar gjithashtu në përfundimin e luftës dhjetëvjeçare midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Ruandës, ka ndërmjetësuar një armëpushim midis Indisë dhe Pakistanit, dhe ka ndalur përleshjet mes Kamboxhias dhe Tajlandës me presion tregtar. Megjithatë, përpjekjet për paqe në Gaza dhe Ukrainë tash për tash mbeten të parealizuara.
The post Armenia dhe Azerbajxhani arrijnë marrëveshje historike në Shtëpinë e Bardhë appeared first on Kosovapost.net.