Armend Muja i Vetëvendosjes kishte kërkuar ryshfet, lënda u vjetërsua pa u gjykuar

Armend Muja i Vetëvendosjes mund të jetë njeriu më fatlum në skenën politike.

Pa një therë në këmbë, Muja kishte arritur t’u shpëtonte akuzave se ai u ka marrë ryshfet kolegjeve private në këmbim të akreditimit të programeve të tyre, raporton Kiks Kosova.

Në janar të 2019-ës Gjykata Themelore në Prishtinë e liroi atë nga akuzat për ryshfet, jo pse ai ofroi prova e fakte në favor të tij, por sepse kaluan vite pa u zhvilluar gjykimi dhe lënda u parashkrua.

Megjithatë, Muja kurrë nuk u shpall i pafajshëm për akuzat për marrje të vazhdueshme të ryshfetit.

Sipas aktakuzës, Armend Muja në bashkëpunim me djalin e axhës së tij, Basri Mujën, i cili ishte drejtor i Agjencisë Kosovare për Akreditim dhe Ferdije Zhushi-Etemi, zyrtare në këtë institucion, takoheshin me përfaqësues të kolegjeve private në Kosovë për t’iu kërkuar atyre ryshfet në këmbim të akreditimit.

Njëri nga institucionet arsimore që ishte pre e këtij plani, sipas Prokurorisë Speciale, ishte kolegji “Biomedica”, të cilit Muja akuzohej se ia kishte marrë 2 mijë e 500 euro për akreditimin e 4 programeve.

Në aktakuzë thuhej se Basri Muja, djali i axhës së Armendit, e kishte detyruar pronarin e këtij kolegji, Driton Ajetin, që ta angazhonte Armendin si ekspert të arsimit dhe t’ia paguante hiç më pak se 5 mijë euro, për t’ia përpiluar më mirë aplikimin për akreditim në vitin 2010.

Pagesa, sipas këtij akti akuzues, ishte kryer në një restorant në qendër të Prishtinës.

Specialja e akuzonte Armend Mujën se nuk është ndalur me kaq.

Sipas aktakuzës, në të njëjtin vit, Muja kishte shënjestruar kolegjin “Universum”, në të cilin ligjëronte lëndën “Metodat hulumtuese në biznes”.

Nga pronari, A. B, që ishte shefi i tij, ai akuzohej se ka kërkuar 20 mijë euro ryshfet për akreditim të disa programeve.

Në aktakuzë thuhej se Muja me bashkëpunëtorë për dy muaj i kishte thirrur në takim përfaqësuesit e “Universumit” në kafiteritë e Prishtinës, herë në Bregun e Diellit e herë në Pejton, duke kërkuar prej tyre 20 mijë euro ryshfet.

Mirëpo, meqë nuk arrinte t’ua mbushte dot mendjen për këtë shifër, Muja akuzohej se e kishte ulur shumën në 15 mijë euro.

Por, kur as kjo kërkesë nuk iu plotësua, në aktakuzë thuhet se Muja kishte arritur marrëveshje me një bashkëpunëtor të këtij kolegji për 5 mijë euro për t’ia mundësuar akreditimin.

Ujdia nuk zgjati sepse prokuroria e akuzonte Mujës se ia kishte kërkuar “Universumit” edhe 10 mijë euro të tjera për Ferdijen dhe kushëririn e tij, Basriun, nën kërcënimin se nëse nuk kryhet një pagesë e tillë, kolegji do t’ia sheh sherrin.

Presionin ndaj përfaqësuesve të kolegjit “Universum” për ta kryer këtë pagesë, Muja akuzohej se e ka vazhduar deri më 15 prill të 2011-ës, kur e ka ndërprerë punën aty.

“Universumi” vërtet ia kishte parë sherrin kësaj pune, ashtu siç e akuzonin Mujën se i ka kërcënuar, pasi që programet e këtij kolegji nuk ishin akredituar.

E 6 vjet pasi ia hodhi lehtë me aktakuzën për ryshfet, Muja ka një plan në kokën e tij.

Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje, të cilën iu bashkua në janar të 2021-ës, Armend Muja po kërkon vota për të shtrirë pushtetin mbi sistemin prokurorial e gjyqësor.

Në një komunikim në TikTok, deputeti i Vetëvendosjes dëgjohet duke iu thënë simpatizantëve të kësaj partie, se është përgjegjësi i VV-së kapja e sistemit të drejtësisë.