Deri tani, vendi ka nënshkruar kontrata me vlerë 60 miliardë dollarë vetëm me SHBA-të.
Polonia po ndërton në mënyrë ambicioze ushtrinë e saj, duke synuar të bëhet forca më e madhe tokësore në Bashkimin Evropian, ndërsa vazhdon zgjerimin e kapaciteteve ushtarake në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë.
Zëvendës ministri i Aseteve Shtetërore, Konrad Gołota, deklaroi se Varshava po kërkon marrëveshje të reja me kompanitë amerikane të mbrojtjes – dhe këtë herë, blerjet pritet të financohen pjesërisht nga kreditë e lira të BE-së në kuadër të skemës SAFE (Security Action for Europe).
Në një aktivitet të organizuar në fillim të muajit nga CSIS në Washington, Gołota u shpreh se Polonia po modernizon me shpejtësi ushtrinë duke blerë avionë luftarakë, tanke, helikopterë, raketahedhës dhe raketa të prodhimit amerikan.
Deri tani, vendi ka nënshkruar kontrata me vlerë 60 miliardë dollarë vetëm me SHBA-të.
Varshava do të përdorë rreth 44 miliardë euro kredi të BE-së nga programi SAFE për blerje të reja, por synimi nuk është vetëm furnizimi “gati në raft”.
Qeveria polake kërkon krijimin e sipërmarrjeve të përbashkëta, transferim teknologjie dhe prodhim të një pjese të pajisjeve brenda vendit, duke përfituar nga bashkëpunimi me industrinë amerikane.
Buxheti polak i mbrojtjes për vitin e ardhshëm pritet të arrijë 4.7 për qind të PBB-së, rreth 55 miliardë dollarë, ndër nivelet më të larta në Evropë.
“Po ndërtojmë ushtrinë më të madhe tokësore në BE dhe përdorim shumë pajisje amerikane”, tha Gołota, duke shtuar se tani pret që kompanitë amerikane “ta çojnë bashkëpunimin një ose dy nivele më lart”.











