Arifi: Rozeta mund të shkojë 8 vjet në burg, por nuk i qet Bislimin e Kurtin

Duke folur për skandalin e rezervave shtetërore, opinionisti Avni Arifi tha se Rozeta Hajdari mund të dënohet me tetë vjet burg.

Në emisionin “Rubikon” ai tha se edhe sikur kjo të ndodh, Hajdari nuk i tradhton Albin Kurtin e Besnik Bislimin.

“Sa e pashë unë nga ju juristët, sepse unë nuk jam jurist, Rozeta mund t’i marrë deri në tetë vjet. Ta zëmë që Rozeta sot shkon tetë vjet në burg, e ka integritetin e fortë dhe nuk i qet as Besnik Bislimin, as Albin Kurtin”, tha ai.

Arifi u shpreh se Albin Kurti gëzohet kur ka afër vetes persona të tillë, që sipas tij, sakrifikohen për të.

“Kurti gëzohet kur njerëzit sakrifikohen për të, Kurti gëzohet kur ka njerëz si kjo, sepse e ka kaluar edhe më herët. Rozeta është krenare që nuk e ka tradhtuar shefin e vet, por edhe prokurori gëzohet që e ka fituar rastin, e ka çuar dikë në burg tetë vjet. Por e vërteta është se këtu ka keqpërdorim masiv”, u shpreh ai.