Arifi: Kurti nuk po dëshiron të qeverisë

Dritëro Arifi, profesor i shkencave politike, bllokadën e krijuar e cila po pamundëson konstituimin e Kuvendit të Kosovës, po e konsideron si “mungesë të thellë të vullnetit politik për të zgjidh këtë cështje”.

Pikëpyetje e parë, sipas Arifit, në gjendjen aktuale, është se  a ka parti fituese apo ka vetëm parti të parë.

“A ka parti fituese, është një pikëpyetje e madhe dhe po del që jo, a ka parti të parë, po. Dhe kjo partia e parë që është Vetëvendosje është që nuk i ka numrat për ta zgjedh një Kryetar/e të Parlamentit” – u shpreh Arifi në emisionin “Kallxo Përnime”.

Mos ndryshimi i propozimit nga ana e lVV-së, për kandidaten Albulena Haxhiu në postin e Kryetares së Kuvendit, sipas profesorit të shkencave politike, po del të jetë e pakuptimtë.

“Partisë së parë i takon me gjetë së pari një kanal komunikues me paritë tjera se si të shkohet tutje, por po shihet që nga 9 shkurti se z. Kurti nuk ka dëshirë të qeverisë, sepse as platformë nuk ka paraqitë”- deklaroi Arifi.

Partia që doli e para në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar disa herë rresht deputeten Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Por, Haxhiu nuk mori më shumë se 57 vota duke mos u zgjedhur kryeparlamentare.

Në anën tjetër, partitë e tjera kanë paralajmëruar që emri Albulena Haxhiut nuk do të votohet.

Sot, më 27.04.2025, u zhvillua seanca e shtatë konstituive, dhe kandidatja e propozuar e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu përsëri nuk arriti të marrë votat e mjaftueshme për kryeparlamentare.

Edhe pse po mblidhen çdo 48 orë, deputetët po vazhdojnë me të njëjtat qëndrime, deklarime të njëpasnjëshme, por pa asnjë zgjidhje që vendi të dalë nga kjo bllokadë.