Arian Gashi merr drejtimin e Komisionit të Jurisprudencës, kritika për shkarkimet pa arsyetim

Me 63 vota për, sot Kuvendi i Kosovës ka miratuar përbërjen e re të Komisionit për Dhënien e Provimit të Jurisprudencës, në bazë të propozimit të Ministrisë së Drejtësisë.

Në krye të këtij komisioni është emëruar Arian Gashi, emër i njohur për lidhjet e tij me Lëvizjen Vetëvendosje.

Arian Gashi ka marrë drejtimin e këtij komisioni, duke zevendësuar përbërjen e mëparshme, për të cilën qeveria kishte shprehur pakënaqësi.

Në seancën e Kuvendit nga opozita kishte kritika për shkarkimin e përbërjes së mëparshme duke e konsideruar si të jashtëligjshme.

Deputeti i PDK-së, Përparim Gruda tha se shkarkimi i anëtarëve të komisionit pa arsyetim individual bie ndesh me parimet kushtetuese dhe mund të kontestohet me sukses në Gjykatën Kushtetuese.

“Provimi i jurisprudencës është jashtëzakonisht i rëndësishëm, sepse ata që e kalojnë provimin bëhen gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, pra ndajnë drejtësinë në sistemin juridik të Kosovës. Unë e kam përcjellë si koordinator i Departamentit për Drejtësi, por edhe ne si grup parlamentar atë që ka ndodhur me komisionin për provimin e jurisprudencës dhe e kam parë që edhe Zyra e BE-së ka pasur një letër, të cilën ma ka dërguar edhe mua, kryetares, kryeministrit dhe të gjitha institucioneve relevante, ku ka shprehur shqetësim për mënyrën se si janë ndërruar anëtarët. Edhe për mua është pak problematike, në kuptim të shpejtësisë, ajo që kam parë në ndërrimin e anëtarëve. Por kjo pjesa e meritave mbetet për t’u parë se si i ka vlerësuar Ministria e Drejtësisë dhe qeveria, që ka mundësi. Unë flas vetëm për një aspekt kushtetues këtu.

Kur është emëruar ky komision, është bërë me votë të Kuvendit. Nuk ka pasur asnjë akt individual për secilin që është emëruar, që sot të ketë vendim për emërimin e tyre dhe që teknikisht të jetë shkarkimi i tyre. Për shkarkimin e tyre kërkohet arsyetim individual për secilin prej tyre që është në bord. Në arsyetimin që është bërë nuk ka arsyetim, dhe për këtë nuk ka arsyetim të individualizuar; është parim kushtetues, jo vetëm i Kosovës, por i jurisprudencës në tërësi dhe i të drejtave të njeriut. Unë e shoh problematike nga pikëpamja kushtetuese; në qoftë se anëtarët aktualë vendosin të ankohen, unë jam i bindur që, me precedencën që ekziston në Gjykatën tonë Kushtetuese, ata fitojnë dhe u merret kjo lëndë. Çka është dashur të ndodhë është që secili anëtar të ketë arsyetim individual”, tha Gruda.

Kurse, deputetja e LDK-së, Doarsa Kica-Xhelili tha se përdorimi i ankesave si arsye për shkarkimin e komisionit rrezikon të ulë standardet e provimit dhe të dëmtojë besimin në sistemin e drejtësisë.

“Pra po flasim për ndërhyrjen në një trupe profesionale që vlerëson kandidatët në njërin prej provimeve më të rëndësishme në sistemin e drejtësisë. Qeveria po thotë se ka pasur ankesa. Mirë, në çdo provim të jurisprudencës ka ankesa. Vetë kam qenë dëshmitare që ka pasur shumë ankesa edhe në vitin 2018. Mund të ketë pasur mangësi, mund të ketë vërejtje, mund të ketë edhe gabime. Por në një shtet serioz, ankesat nuk përdoren për ta vënë komisionin nën kontroll. Ankesat i nënshtrohen procesit të auditimit. Dhe kur po them këtu se i nënshtrohen auditimit, nuk mjafton një vlerësim individual i ministrit, aq më pak për meritat e provimit.

Imagjinoni nëse ministria çdo pakënaqësi të studentëve që mund të mos kenë kaluar e përkthen në një mjaftueshmëri për ta shkarkuar komisionin. Dhe imagjinoni tani, në qoftë se të gjithë ata që ndër vite nuk kalojnë e kanë të qartë që me ankesat e tyre mund ta shkarkojnë një komision. Dhe në këtë logjikë, madje imagjinoni çfarë iniciative apo nxitjeje po i jepet një komisioni që ta ulë standardin e provimit, në qoftë se e di që rritja e standardit ka për t’i shkarkuar. Sepse nëse ti thua që ka rënë përqindja e atyre që kalojnë në provim – sepse kjo është e vërteta që kanë deklaruar dhe kanë thënë – dhe nëse ti thua që ka rënë përqindja dhe nuk e analizon aspektin e rritjes së standardit, çka po thotë kjo për ministrinë? A po duam standarde”, tha ajo.

Paparaci kishte raportuar për lidhjet e Gashit me partinë në pushtet.

Vëllai i tij, Urim Gashi është një i emëruar në funksion të lartë publik nga qeveria e Albin Kurtit. Tash e disa vjet ai është udheheqës i bordit të ndërmarrjes publike KRU “Gjakova”.

Përpos vëllait, edhe motra e tij rezulton të jetë e lidhur ngushtë me pushtetin.

Pranvera Berisha-Gashi është zyrtare e partisë Guxo në Suharekë, partneres qeverisëse të Vetëvendosjes së Albin Kurtit. Në zgjedhjet lokale të tetorit 2021, Berisha-Gashi ka kandiduar për një ulëse në Asamblenë Komunale të Suharekës në listën e Lëvizjes Vetëvendosje.

Provimi i jurisprudencës në duart e njeriut që ka lidhje me pushtetin