“Arena Kombëtare” po merr formën e saj, UEFA inspekton punimet

Një delegacion i UEFA-s ka mbërritur në Shqipëri dhe ka parë nga afër ecurinë e punimeve të impiantit “Arena Kombëtare”.

Thierry Favre, drejtor i zhvillimit të federatave kombëtare pranë UEFA-s dhe John Beattie, drejtori i impiantit të Arsenalit, “Emirates Stadium” ndoqën nga afër punimet në stadium dhe u shprehën të kënaqur me projektin dhe ritmin e punimeve.

“Është kënaqësi që jam këtu në emër të UEFA-s. Kam patur edhe fatin që isha këtu personalisht përpara dy vjetëve kur u bë edhe anonçimi i projektit. Takohem sërish me arkitektin dhe Federatën për të parë ecurinë e punimeve”, tha Favre.

Është një projekt tejet i rëndësishëm për futbollin shqiptar, pas ndërtimeve pozitive në Elbasan dhe Shkodër. Më në fund do të shohim këtu në kryeqytet një stadium të nivelit të lartë.

E dimë që pritet të përfundojë mes shkurtit dhe marsit të vitit tjetër, për ne është një periudhë shumë e mirë dhe urojmë që të jetë një projekt i bukur.

Finalja e Superkupës së Europës? Është një prej stadiumeve kandidate. Është një impiant i rëndësishëm dhe një stadium i bukur, por konkurrenca është e fortë”, deklaroi Favre.

Në shoqërinë e arkitektit të kësaj vepre Marko Kazamonti, dhe anëtarit të KE-së të FSHF-së, Arben Dervishi, z.Favre ka ndjekur në sektorë të ndryshëm edhe punimet e deritanishme duke u njohur edhe me informacionet e vazhdueshme nga arkitekti, të punës së deritanishme të kryer për këtë impiant, volumi për secilin sektor, hapat e deritanishëm, çfarë është në proçes dhe çfarë ka mbetur pa kryer. Z.Favre iu përgjigj më pas edhe interesimit të medias prezente në objekt, teksa më parë u njoh edhe me projektin e Shtëpisë së re të Futbollit, punimet e së cilës kanë nisur në muajin janar./Syri.net/

 

Drejtori i UEFA-s ndjek punimet tek ‘Arena Kombëtare’: Stadium i nivelit të lartë