Portieri i FC Prishtinës, Ardit Nika, ndodhet përballë një vendimi të rëndësishëm për të ardhmen e tij.
Pas një sezoni të rregullt në portën e klubit kryeqytetas, ku ka qenë titullar në 33 ndeshje dhe ka arritur të mbajë portën e paprekur në tetë prej tyre, Nika është përballur me interesim serioz nga klube jashtë vendit.
Klubi aktual i ka ofruar vazhdimin e kontratës, por gardiani prishtinas ende nuk ka marrë një vendim përfundimtar. Ai ka oferta konkrete nga një klub i Superiores në Shqipëri, një klub nga Bundesliga 3 në Gjermani, si dhe nga klubi bullgar Botev Plovdiv, që kërkon përforcim në portë për sezonin e ri.
Nika është rritur futbollistikisht te Prishtina, duke kaluar të gjitha grupmoshat dhe më pas duke fituar përvojë në nivel të lartë përmes huazimeve te Flamurtari dhe KEK-u.
Me përvojën dhe qetësinë që e karakterizon, ai është kthyer në një nga portierët më të besueshëm në elitën e futbollit kosovar. Vendimi për të ardhmen e tij pritet të merret në ditët në vijim.