Lojtari i gjithanshëm, Ardian Muja është lojtari i momentit dhe më vendimtar te Prishtina në ndeshjet e fundit të edicionit 2024/25.
Prishtina ka fituar me rezultat të thellë 3-0 ndeshjen e dytë gjysmëfinale ndaj Dritës, duke kaluar në finale të Kupës së Kosovës pas fitores me rezultat të përgjithshëm 4-0.
Lojtari më vendimtar në takimin e të mërkurën mbrëma në stadiumi Fadil Vokrri, padyshim se ishte mitrovicasi Ardian Muja.
Muja arriti të shënoj dy gola në këtë ndeshje, ku i pari erdhi pas asistimit të Ramiz Bytyqit në minutën e 10-të për 1-0, ndërsa për 2-0 shënoi në minutën e 39-të pas asistimit të Leutrim Kryeziut.
27-vjeçari ishte vendimtar edhe në ndeshjen e parë të zhvilluar në Gjilan, ku shënoi golin e vetëm në fitoren e madhe 0-1, ku për pjesën më të madhe të ndeshjes luajtën me një futbollistë më pak.
Lojtari i cili këtë sezon ka luajtur në shumë pozita, ishte vendimtar gjithashtu edhe para disa xhiros në Superligën e Kosovës, ku dhuroi katër asistime në fitoren e madhe 0-4 të Prishtinës te Suhareka.
Muja si duket do të jetë ‘arma’ kryesore e Prishtinës në këtë fund sezoni, në tentimin e klubit kryeqytetas për të shpëtuar sezonin që deri tani ishte një dështim. /Telegrafi/