Kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, ka reaguar pas arrestimit të katër zyrtarëve komunalë nga Policia e Kosovës, të dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Gjini tha se arrestimin e tyre e sheh si të panevojshëm dhe se është i bindur në ndershmërinë e katër zyrtarëve të arrestuar.
Kryetari i Gjakovës ka kërkuar nga Prokuroria të sqarojë konkretisht se për çfarë janë arrestuar të dyshuarit, pasi siç ka deklaruar ai, qytetarët duhet të informohen drejt, sidomos në një periudhë kaq të ndjeshme para zgjedhjeve.
“Jam sinqerisht i befasuar me arrestimin e ish-kolegëve dhe kolegëve të mi. E shoh këtë arrestim si plotësisht të panevojshëm derisa kjo ngjarje ka shkaktuar shqetësim të kuptueshëm – si brenda institucionit, ashtu edhe në opinionin publik. Jam i bindur në ndershmërinë dhe profesionalizmin e kolegëve dhe ish-kolegëve të mi”- ka shkruar Gjini.
Policia e Kosovës ka arrestuar sot, më 23.07.2025, katër persona të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtarë në Gjakovë.Të arrestuarit sipas konfirmimit të Policisë janë zyrtarë komunalë në Gjakovë.Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, tha se katër të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me vendim të prokurorit.
“Policia e Kosovës, konkretisht hetues kundër krimeve ekonomike dhe korrupsionit në koordinim me Prokurorinë e Shtetit kanë ndërmarrë veprime hetimore në lidhje me dyshimet për keqpërdorim të pozitës zyrtare nga zyrtarë komunalë në Gjakovë.
Katër persona të dyshuar janë intervistuar dhe ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit”- tha Hoxha. Policia e Kosovës është duke vazhduar hetimet në drejtim të veprës penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.
The post Ardian Gjini e quan të panevojshëm arrestimin e katër zyrtarëve komunalë appeared first on Kosovapost.net.