Arda Güler është një nga futbollistët që ngjall më shumë entuziazëm te tifozët e Real Madridit. Me të në fushë, skuadra luan më mirë, por situata e tij në dhomën e zhveshjes duket e ndërlikuar. Kështu ka deklaruar Serhat Pekmezci, përgjegjësi i transferimit të tij te Fenerbahçe.
Në një intervistë për “Sports Digitale”, ai u shpreh: “Edhe pse Real Madridi është një megaklub, Arda Güler po vuan mospranimin në grup. Nuk u ankua tek unë, por e dija që kjo do t’i ndodhte. I thashë të kishte durim”. Më tej shtoi: “Presioni vinte nga lojtarët. Është një grup atje që nuk e ka pranuar Arda; për fat të keq janë lojtarë me ego shumë të lartë”.
Pekmezci vijoi: “Arda është shumë i durueshëm dhe i ndërgjegjshëm, por edhe ai ka nisur të rebelohet, duke menduar: Pse gjithmonë unë?” Ai la të kuptohet se dhoma e zhveshjes pengoi ardhjen e Klopp dhe ndikoi në largimin e Xabi Alonsos.
The post “Arda Güler vuan mospranimin te Real Madridi, presioni ndaj tij vjen nga lojtarët egoistë” appeared first on Telesport.










